Xhyldane Murtezi-Kiçmari denoncon mosveprimin institucional: “Ende s’kam marrë përgjigje

Pas rastit të Arlinda Zekajt, mosveprimi institucional ndaj denoncimeve për kërcënime dhe presione në vendin e punës po rikthehet në vëmendje, ndërsa gra të tjera po ndajnë përvojat e tyre me institucionet kompetente.
Xhyldane Murtezi Kiçmari, përmes një reagimi publik, ka kërkuar që institucionet të mos mjaftohen vetëm me shpërndarjen e videove dhe komunikimeve të Arlinda Zekajt, por të ndërmarrin veprime konkrete edhe ndaj incizimeve dhe dëshmive të personave që pretendojnë se kanë përjetuar presione e kërcënime.
Kiçmari ka bërë të ditur se edhe ajo ka dorëzuar në institucione incizime që, sipas saj, përmbajnë kërcënime nga Samir Bllacaku ndaj saj. Ajo pretendon se, pavarësisht dorëzimit të këtyre materialeve, nuk ka pasur veprime institucionale.
Sipas reagimit të saj, kërcënimet e pretenduara janë regjistruar gjatë takimeve zyrtare të Komitetit të Auditimit në ASHNA. Ajo thotë se ka dorëzuar edhe prova ku, sipas saj, ndaj saj është përdorur shprehja: “Unë jam ligji këtu”.
Kiçmari thekson se raste të ngjashme mund të kenë përjetuar edhe zyrtarë të tjerë, ndërsa shpreh shqetësimin se provat e dorëzuara prej saj dhe personave të tjerë nuk janë marrë seriozisht nga institucionet përgjegjëse.
Në fund të reagimit, ajo ngre një pyetje që rikthen në qendër të debatit përgjegjësinë institucionale dhe rëndësinë e trajtimit me kohë të denoncimeve:
“A duhet të vdesë njeriu që institucionet të fillojnë t’i trajtojnë provat që ua ka dorëzuar sa ishte gjallë?!”
Reagimi i saj vë në pah nevojën për shqyrtim të denoncimeve, vlerësim të provave dhe reagim institucional në kohë, në mënyrë që pretendimet për kërcënime e presione në vendin e punës të mos mbeten pa trajtim.














