Kalo te përmbajtja
Drejtësi

Shemsi Llugaliu nuk deklarohet për fajësinë në rastin e vdekjes së Laurent Krasniqit

Mbrojtja kërkoi shtyrjen e seancës për shkak të përgatitjes së një ekspertize të re të komunikacionit, por gjykata e refuzoi kërkesën.

Në seancën fillestare gjyqësore për aksidentin tragjik ku humbi jetën 29-vjeçari Laurent Krasniqi, i akuzuari Shemsi Llugaliu ka deklaruar se nuk është në gjendje të shprehet lidhur me fajësinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Malart Kuçi.

Seanca është mbajtur nga ora 10:00, nën drejtimin e gjyqtarit Bujar Ahmeti, ndërsa në fokus të saj ishte edhe kërkesa e mbrojtjes për shtyrjen e procedurës.

Avokati i të akuzuarit, Naim Rudari, i ka kërkuar gjykatës që seanca të shtyhet, duke arsyetuar se mbrojtja ka angazhuar një ekspert të ri për përgatitjen e një ekspertize tjetër të komunikacionit. Sipas tij, qëndrimi i mbrojtjes lidhur me rastin do të bëhet i ditur pasi të përfundojë kjo ekspertizë.

Kundër shtyrjes është shprehur prokurori Malart Kuçi, i cili ka vlerësuar se në dosjen e rastit tashmë gjendet një ekspertizë e komunikacionit që, sipas tij, i sqaron veprimet e të akuzuarit në aksident.

REKLAMËREKLAMË

Pas shqyrtimit të kërkesës, gjykata nuk e ka aprovuar atë. Arsyetimi ishte se bëhet fjalë për seancë fillestare, në të cilën i akuzuari duhet të deklarohet për fajësinë ose pafajësinë, në përputhje me procedurën ligjore.

Laurent Krasniqi, i cili ishte 29 vjeç, ndërroi jetë mbrëmjen e 2 shtatorit si pasojë e një aksidenti komunikacioni. Ai ishte bërë i njohur për publikun përmes paraqitjeve në reklama dhe videove humoristike të publikuara në rrjetet sociale.

Në procedurën gjyqësore, palën e dëmtuar, Xheneta Krasniqi, e përfaqëson avokati Fanol Krasniqi.

Rasti pritet të vazhdojë sipas procedurave të parapara ligjore.

ZGJEDHUR NGA LEXUESIT

MË TË LEXUARAT

VETËM TANI

TË FUNDIT